“Ura që lidh brezat” ishte tema e zgjedhur nga Ministria e Jashtme në ditën e përkujtimit të holokaustit.

Në aktivitet, kryediplomatja Elisa Spiropali risolli në vëmendje fjalimin e Kryeministrit Rama në parlamentin e izraelit, ku theksoi ndihmesën e dhënë nga shqiptarët ndaj hebrenjve.

“Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë”, tha ministrja e Jashtme Elisa Spiropali.

Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili theksoi se “historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën.”

“Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj, për shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot dhe çmojmë miqësinë e fortë”, tha ministri izraelit.

Më herët, në ditën e përkujtimit të holokaustit reagoi dhe presidenti Bajram Begaj, i cili vuri në dukje se vlerat e popullit shqiptar u treguan qartë gjatë kohës së luftës dhe se guximi i tyre do të njihet gjithmonë./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version