
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Nenanyahu vlerësoi Shqipërinë për mbështetjen e ofruar për herbenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë një seance të posaçme plenare në Knesset, të mbajtur në nder të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Netanyahu tha se “Shqipëria ishte ishulli i paqes në oqeanin e të keqes”.
“Miku im i mirë, kryeministri i Shqipërisë, mirë se erdhe në Izrael, mirë se erdhe në Jerusalem, kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit. Sot flamuri shqiptar valëvitet në rrugët e Jerusalemit. Është një pamje që ngroh zemrën.”
Netanyahu tha se Shqipëria dhe Izraeli sot janë më afër se kurrë.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë më të ngushta se kurrë, si në nivel politik, ashtu edhe në atë personal”, tha Netahyahu.
Ai vlerësoi mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një qëndrim parimor përballë, sipas tij, dezinformimit dhe gënjeshtrave.
“Miqësia jonë shprehet në mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në forumet ndërkombëtare dhe në qëndrimin në anën e së vërtetës kundër gënjeshtrave që hidhen ndaj nesh”, tha kryeministri izraelit.
Netanyahu gjithashtu premtoi mbështetje dhe ndihmë për vendin tonë.
“Jemi gati t’ju ndihmojmë me çdo gjë. Mbështetje për siguri, luftën kundër terrorit, në teknologji, reformat tregtare dhe turizëm. Njerëzit izraelitë janë të zgjuar, e dinë çfarë shohin, çfarë zgjedhin dhe e kanë njohur si një destinacion turistik. Një vend i shkëlqyer për izraelitët dhe shohim një rritje gati me 1 mijë % që vijnë vizitojnë Shqipërinë, edhe falë shijes suaj estetike, po e bëni Shqipërinë më të bukur”, tha Netanyahu.









