Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor “Celanin 3”  dhe ka goditur një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave të qytetit.

Janë arrestuar 12 persona, mes tyre organizatori dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër, pjesëtar i këtij grupi.

Gjatë operacionit, shërbimet policore të DVP Durrës kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht: F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

B.O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.

Share.
Exit mobile version