Shqipëria vazhdon të përballet me zjarret në të gjithë territorin, edhe pse situata ka njohur përmirësim në 24 orët e fundit. Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se 47 vatra zjarri jane shuar, por ende vazhdon beteja me flaket në 6 zona te vendit
“Aktualisht vijon të jenë aktive, por pa paraqitur rrezik për qytetarët dhe banesat, vatrat në Bjeshkët e Bollotekut dhe mbi fshatin Tërnovë”, bëri me dije Ministria e Mbrojtjes.
Një prej vatrave të zjarrit që është ende aktive është ajo pranë fshatit Dukat i Ri. Flakët kanë nisur në orën 2 të mëngjesit dhe në terren kanë shkuar forcat zjarrfikëse si dhe punonjës të Zonave e Mbrojtura, por ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit malor .
Një vatër tjetër është shfaqur pranë fshatit Labovë në Gjirokastër. Në orën 03:30 të mëngjesit një grup prej 11 zjarrëfikësish kanë ndërhyrë në malin mbi fshat dhe kanë arritur të shuajnë plotësisht flakët.
Ndërkaq pas 15 ditësh janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës. Gjatë gjithë këtyre ditëve për izolimin e flakëve janë angazhuar forca të shumta të ushtrisë, shërbimit zjarrfikës, shërbimit pyjor e zonave të Mbrojtura ashtu siç është dashur edhe ndërhyrja nga ajri e avionit rumun por për një ditë edhe të dy avionët maqedonas e helikopterit “Cougar”.
Sipas të dhënave zyrtarë gjatë këtyre 15 ditëve janë djegur më shumë se 900 hektarë të parkut kombëtar të Prespës.
Në operacionet e ditëve të fundit për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 307 forca zjarrfikëse, 130 forca ushtarake, 58 efektive nga polica e shtetit, si dhe punonjes të emergjencës civile të pushtetit lokal, sherbimit pyjor apo edhe vullnetare. /vizionplus.tv