
Parlamenti do të përsërisë votimin për anëtarët e Komisionit Rregullator, një prej 3 organeve të KQZ.
Sipas ligjit, anëtarët duhet të zgjidhen me 84 vota, por në seancën e së enjtes asnjë prej tyre nuk mori numrin e nevojshëm. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi deklaroi se kandidaturat u miratuan pavarësisht mungesës së kuorumit.
Por këtë të premte, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi kërkoi anulimin e votimit, pasi asnjë prej tyre nuk mori votën pro të 84 deputetëve.
“Ju nuk keni as kapacitetin dhe as integritetin e duhur për drejtimin e Kuvendit. Ju vijoni të keni bindjen se mjafton të votojë ‘pro’ Taulant Balla dhe aktet në Kuvend s’kanë nevojë për kuorum sipas ligjit, sepse i quani të miratuara“, akuzoi Bardhi kryetarin e Parlamentit.
Por Kuvendi sqaroi se votimi për anëtarët e Komisionit Rregullator do të përsëritet, pasi kryeparlamentari Niko Peleshi në fund të seancës ka konstatuar mungesën e kuorumit të nevojshëm prej 84 vota pro./vizionplus.tv









