Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve të lumit Osum, duke shkaktuar një situatë të rënduar në qytetin e Beratit. Si pasojë, pedonalja e qytetit dhe lagjja historike Gorica ndodhen rrezik përmbytjeje.
Bizneset dhe banorët përgjatë zonës së rrezikuar kanë marrë masa paraprake, duke vendosur thasë me rërë për të mbrojtur sa të jetë e mundur ambientet e tyre nga depërtimi i ujit.
Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile ndodhet në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment. Strukturat përkatëse po monitorojnë situatën nga afër dhe janë të përgatitura të ndërmarrin edhe evakuimin e zonës, nëse niveli i ujit rritet më tej.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet pranë lumit dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës. Situata pritet të vlerësohet orë pas ore.
/vizionplus.tv

