Partia Demokratike ka mbledhur grupin për të vendosur se si do të reagojë ndaj mazhorancës, një ditë pasi Parlamenti rrëzoi kërkesat e saj për të ngritur një komision hetimor për lidhjet e ish-zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal, me politikanët në Shqipëri dhe një komision hetimor për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha deklaroi se opozita nuk mund të pranojë që t’i hiqet çdo e drejtë që ia ka dhënë Kushtetuta.
“Eshtë moment historik, t’i dalim zot qytetarëve shqiptarë, vullnetit të tyre të dhunuar. Pasi ka vjedhur votat dhe mandatet, tani thotë sus, nuk u lë të flisni. Edhe ne na thotë, do vjedh prapë thotë, prandaj nuk do më kontrolloni. Por absolutisht kurrë jo më”, tha Berisha.
Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit për të komentuar paraqitjen e numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku në SPAK.
“Zëvendësja më besnike e Edi Ramës në 25 vitet e fundit, Lubi Balluku, merret e pandehur për një të mijëtën e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të saj. Një të mijëtën! Dhe marrja e saj e pandehur ishte një akt kaluari i vërtetë, do të themi atë që është, për atë prokuror që guxoi të firmosë thirrjen e saj”, tha Berisha.
Lideri i opozitës komentoi edhe përballjen e ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me qeverinë në Gjykatën Kushtetuese.
“Një gjë i tha publikut sot Erion Veliaj. Çfarë i tha? Kaq vite më parë, në X qytet të Kolumbisë, FARC-u rrëmbeu kryetarin e bashkisë. Ai bëri paralelizëm që FARC-u më rrëmbeu edhe mua në Bashkinë e Tiranës. Por, po të kemi parasysh procedurat ligjore të një vendi demokratik, ne nuk mund të themi se ato nuk u shkelën tërësisht njëlloj si ato të FARC-ut.Të themi të vërtetat”, tha kreu i PD-së.
