Akuzat se sektori i ndërtimit shërben për pastrimin e parave të krimit, për Kryeministrin janë të papranueshme. Gjatë një takimi me investitorët, kreu i qeverisë u doli në mbështetje, teksa theksoi se ky sektor ka shërbyer në transformimin e vendit.

“Që këtë sukses evident të Shqipërisë, që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm, ta fusim në kornizën e krimit, është e neveritshme dhe e papranueshme. Ka shumë arsye pse Shqipëria bën ndërtime dhe t’i lexojnë ata që duan. Është e pamundur të pranojmë që shumica dërrmuese e atyre që investojnë të futen në thesin e baltës për disa që mund të jenë ashtu siç thuhet”.

Në fjalën e tij, Rama kritikoi zërat skeptikë ndaj zhvillimeve ekonomike, duke dhënë edhe shifra të përfitimeve që kanë ardhur pikërisht nga ndërtimi.

“Nuk janë skena krimi këto. Këto janë prova të një transformimi të madh. Si u rrit prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë. Sot është 27 mld euro. Ndërkohë të ardhurat për frymë ishin më pak se 3 mijë euro, sot janë mbi 11 mijë dhe do vijojnë të rriten. Lloj lloj teorish. Lloj lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë.”

Kryeministri ironizoi dhe akuzat e opozitës për korrupsionin.

“Nëse rriten të ardhurat, nuk rriten nga shiu por nga taksat. Dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion. Të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë leje le ta konfirmojnë. Lufta me ne është tek cilësia. Këtu ka më shumë ekonomi dhe më pak korrupsion”.

Gjatë bisedës me sipërmarrësit e ndërtimit, Kryeministri tha se edhe të huajt kanë treguar interes për të blerë apartamente në Shqipëri.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version