Ditën e sotme, 12 nëntor, 10 ministra të qeverisë shqiptare së bashku me kryeminstrin Edi Rama do të udhëtojnë drejt Romës në Itali, ky nesër do të mbahet mbledhja e parë e dy qeverive.
Në orën 11:40 është parashikuar takimi i kryeministrit Edi Rama me homologen e tij italine, Giorgia Meloni.
Ndërsa në orën 12:30 pritet të nisë mbledhja e përbashkët me delegacionet e të dy vendeve.
Rreth orës 14:00 do të firmosen disa marrëveshje dhe memorandume mes Italisë dhe Shqipërisë, në fusha si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.
Sipas mediave italiane në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, dhe infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
Në sektorin e energjisë, po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një ndërlidhje nëndetëse për energjinë e rinovueshme që lidh Italinë dhe Shqipërinë.
Duke iu drejtuar migracionit, mediat në vendin fqinj shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë.
Ministrat që do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar janë: Zv.kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala,
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

