Politika shqiptare dënon atentatin ndaj Donald Trump, ish-presidentit amerikan dhe kandidatit të Republikanëve për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit. Në “X” kryeministri Edi Rama e cilëson një tragjedi për botën demokratike.

“Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shkruan Rama.

Akti kriminal që synonte të vriste Donal Trump shkruan lideri i demokratëve Sali Berisha ishte një përpjekje për të vrarë politikisht vullnetin e lire të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndeshkimin më të rreptë ligjor”, shkruan Berisha.

Atentati ndaj kandidatit për president të SHBA-ve u dënua edhe nga presidenti Bajram Begaj. Në reagimin e tij, kreu i shtetit shkruan se çdo sulm e formë e dhunës nuk ka vend në demokraci.

Share.
Exit mobile version