Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Teksa bëri publik qëndrimin e tij se veprimet e drejtësisë do të respektohen nga qeveria, Kryeministri Edi Rama sqaroi se do t’i kërkojnë Kushtetueses të interpretojë nëse gjykata mund të pezullojë nga detyra Ballukun.

“Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres, por do të shkojmë të mbrojmë pavarësinë e pushtetit ekzekutiv në Gjykatën Kushtetuese. Për periudhën që flasim, qeveria nuk do të ketë zv.kryeministër dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë.”

Krah komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, pas samitit për planin e rritjes, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi hap të gabuar pezullimin e një zyrtari.

“Pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast edhe zv.kryeministrit, drejtpërdrejt për drejtimin e qeverisë, është shfaqje e këtyre dobësive, të një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike. Rast unikal në historinë e Europës dhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit. S’ka ndodhur kurrë një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.”

Edhe një herë ritheksoi betimin e dhënë nga socialistët se nuk do të ndërhyjë në punën e institucioneve të drejtësisë që ata vetë krijuan.

“Nëse një prokuror special dhe një gjykatë speciale e shkallës së parë të speciales këtu në Shqipëri kanë vendosur të pezullojnë një ministër, duke marrë kompetencat e një kryeministri dhe parlamenti prej nga buron mandati i qeverisë, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit edhe në këtë rast ekstrem.”

Nga ana e saj, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, zgjodhi të mos komentojë çështjen ndaj Ballukut, megjithatë vlerësoi punën e reformës në drejtësi.

“Nuk mund të komentoj çështje konkrete, por ajo që mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë në vitet e fundit, ka pasur ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe e kemi pasur si pjesë të gjetjeve tona dhe pjesë të raportit të zgjerimit. Nga çdo vend kandidat duam që të ketë një sistem, që me ndihmën e sistemit gjyqësor të ketë siguri ligjore që nëse i dhunohen të drejtat, ka gjykata dhe gjykatës që kujdesen për këtë çështje.”

Tashmë i mbetet në dorë Gjykatës Kushtetuese për të dhënë fjalën e fundit, teksa qeveria Rama 4 është pa një zv.kryeministër dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version