Njësitë policore të qenve që përdoren në pikat e kalimit kufitar në vendin tonë tashmë do të kenë edhe një manual trajnimi sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Drejtori i Institutit të Përgatitjes së qenve të Policisë së Shtetit, Mirash Loci dhe Xhenis Ballço, drejtuese projekti, prezenca e OSBE-së të ftuar në studion e “7pa5” në Vizion Plus kanë dhënë detaje lidhur me një aktivitet që do të zhvillohet ditën e nesërme në “Parkun Rinia.”

Në aktivitet do të marrin pjesë qentë e policisë nga të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është ngjërgjegjësimi i publikut për rolin e qenve të policisë.

Loci: Në vitin 1995 kemi trajnimin e parë që u bë në Itali për qentë për kërkim zbulim të armëve të vogla. Në ’97 filloi kursi i parë për kërkimin e armëve të vogla në Shqipëri.

Ballço: Është një nga eventet më të mëdha dhe që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Do jetë më tepër një show me disa qen që ne kemi zgjedhur. Kjo është një nismë që e kemi marrë për të rritur frymën e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është arritja e publikut të gjerë. Këta qen të policisë, në fakt duhen cilësuar partnerë të policisë për shkak të rëndësisë që kanë. Bindja, kërkim zbulim droge dhe kërkim zbulim armësh janë tre ushtrimet që do të zhvillohen. Do jenë vende të ndryshme të ndërthurura.

Loci: Kemi punë të mirë të bërë ndër vite. Me vendet e rajonit jemi njëlloj por kemi sërish nevojë për shumë punë. Qentë janë të trajnuar për operacione dhe nuk janë asnjëherë rrezik për publikun.

Ballço: Publiku i shikon shumë shpesh vetëm në pika doganore por ka shumë pozicione që qentë janë të pranishëm. Kjo është arsyeja e këtij aktiviteti, që t’i shohin aktivitetet reale dhe bashkëpunimin që ndajnë qentë me shoqëruesit e tyre. Pjesë e aktivitetit do të jenë ministri Balla, zoti Rrumbullaku, ambasadori i prezencës së OSBE dhe  ambasadorët përkatës të donatorëve të projektit./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version