Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, iu është përgjigjur ditën e djeshme, më 27 tetor pyetjeve të deputetëve lidhur me aktivitetin dhe punën e bërë nga institucioni që ai drejton. Por, mazhoranca nuk kishte asnjë pyetje për kreun e SPAK.
Analisti politik, Adrian Nurellari, i ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, tha se PS e sheh SPAK-un si një aset për t’u mbrojtur.
Sipas Nurellarit, një nga “kuajt e betejës” së PS është pikërisht marrja e meritës për SPAK.
Ai u shpreh se ndikimi i dosjeve të SPAK dhe i drejtuesit të tij, Altin Dumani, ka qenë shumë më i madh sesa debatet parlamentare, duke e cilësuar këtë institucion si të vetmin që ka fituar besueshmëri brenda dhe jashtë vendit.
Pjesë nga biseda:
Nurellari: Diskutimet në Kuvend nuk e kanë ndryshuar Shqipërinë aq sa dosjet e SPAK dhe të Dumanit. SPAK është i vetmi institucion që merr merita ndërkombëtarisht dhe është një lloj shprese. Deri dje kishte njerëz të paprekshëm, sot janë vënë në pikëpyetje. Jemi duke u ballafaquar me një institucion që është i mirë aty ku s’ka pasur fare.
Borakaj: Pse munguan pyetjet nga mazhoranca në raportimin e Dumanit?
Nurellari: Një nga kuajt e betejës së PS është marrja e meritës për SPAK. Partia Socialiste e sheh SPAK-un si një aset për t’u mbrojtur. Është shumë jopopullore të dalësh kundër SPAK-ut. PS do ta mjelë, siç mjel çdo gjë. Del një këngëtar në Amerikën Latine e e poston kryeministri, kur arratiset zëvendëskryeministri, s’di gjë.
/vizionplus.tv

