
Opozita pritet që të mbajë protestën e radhës para Kryeministrisë. 1 mijë efektivë janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, si një plan standard. Po ashtu, edhe godina e Kryeministrisë është blinduar me veshje metali. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa pritet që atyre tu bashkohet kreu i PD Sali Berisha.
Protesta sipas Sali Berishës, do të ketë tre objektiva kryesore, dorëheqjen e tre ministrave për shkak të skandaleve të javëve të fundit. Hapi final është largimi i qeverisë Rama, ku sipas Berishës përgjegjësi kryesor është vetë kryeministri.
Protesta do të pasohet nga një foltore që do të zhvillohet çdo një javë para kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime nga qytetarët dhe deputetët. I pyetur gjatë ditës së sotme nga gazetarët nëse protesta para Kryeministrisë ka lidhje me thirrjen e tij nga SPAK për 21 janarin, Berisha e mohoi.
Kjo protestë vjen në një kohë kur Berisha është thirrur në SPAK për t’u pyetur si person që ka dijeni për ngjarjet e “21 Janarit”. Berisha pritet të pyetet të mërkurën, në orën 09:00, në SPAK, pasi data është afruar për shkak të angazhimeve të tij jashtë vendit./vizionplus.tv









