Mazhoranca ka rrëzuar me 77 vota kërkesën e Partisë Demokratike për të nisur procedurën e përshpejtuar mbi projektligjin që synon uljen e çmimit të naftës, pas krizës në Lindjen e Mesme.
Deputeti i PD, Eno Bozdo, gjatë fjalës së tij në Kuvend, kritikoi qeverinë për menaxhimin e furnizimeve me naftë, duke theksuar se Shqipëria nuk ka asnjë rezervë strategjike të këtij burimi dhe se qytetarët paguajnë më shumë për karburantin krahasuar me vendet e rajonit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë rezervë strategjike nafte, ndonëse ligji e ka të detyrueshme. Kryeministri pretendon të kundërtën, por realiteti është ndryshe. Rezervat që zakonisht duhet të mbulojnë 90 ditë sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva,” deklaroi Bozdo, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të mungesës së rezervave gjatë krizave globale.
Projektligji i depozituar nga PD kishte si qëllim që vendi të merrte masa për të lehtësuar çmimet e naftës për qytetarët, por mazhoranca e konsideroi të papërshtatshëm procedurën e përshpejtuar dhe e rrëzoi atë me shumicë votash.

