Nga Borana Demiri
Profilizimi i universiteteve vijon të diskutohet si një nevojë për të riorganizuar programet e studimit sipas kërkesave që ka tregu i punës. Por çfarë po ndodh konkretisht dhe si ta kuptojmë këtë proces?
Sipas të dhënave nga rrjeti akademik shqiptar, në vendin tonë aktualisht operojnë 42 institucione të arsimit të lartë, ndërsa numri i përgjithshëm i programeve të studimit është të paktën 650.
“Janë relativisht shumë por nëse ato i vlejnë ekonomisë së vendit, janë të justifikuara. Nëse jo, është koha që i seleksionon. Në këtë vit akademik shumë degë janë rrezikuar”, thotë ish-ministri i Arsimit, Et’hem Ruka.
Sakaq, zgjerimi i ofertës akademike është shoqëruar në vijimësi me rënien e numrit të studentëve.
“Në kushtet e Shqipërisë kemi nevojë për disa politiika më të mençura për të kontrolluar hapjen e programeve të studimit. Ajo që nuk do të doja është që universitetet të kërkojnë hapjen e programeve të studimit për të mbijetuar, për të nxjerrë lekë e për të mbajtur pedagogët. Kjo nuk është mënyra e duhur, por të miratohen për ti shërbyer ekonomisë dhe nevojave kombëtare”, shton Ruka.
Një propozim edhe për degët e mësuesisë.
“Problemet e përgatitjes së mësuesve në shkencat e edukimit janë shpërndarë në të gjitha anët. Universiteti i Elbasanit e ka pasur traditë. Tani prodhon Shkodra, Gjirokastra, Vlora, Korça etj. Një problem i madh që gjithsesi kërkon një diskutim me rrethet akademike.”
Ekspertët e arsimit tërheqin vëmendjen për mungesën e studimeve të mirëfillta që do të duhej të orientonin politikat e nevojshme në arsimin e lartë./vizionplus.tv

