
Tkurrja dhe plakja e popullsisë janë sprovë për ekonominë shqiptare. Mosha mesatare e popullsisë vendase ka arritur në thuajse 43 vjeç dhe kjo për Bankën e Shqipërisë përbën shqetësim sepse këto prirje kanë pasoja negative në tregun e punës, pagat dhe dinamikat e inflacionit.
“Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate: ajo ndryshon modelet e konsumit, dobëson inovacionin dhe produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe, në fund, ndikon në çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues, duke përbërë kërcënim për qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike.”
Zgjidhja për këtë pikë kthese demografike, sipas Bankës së Shqipërisë gjendet me vullnet politik duke ndërmarrë një sërë reformash në fushat që preken prej saj, duke pasur në qendër të vëmendjes përqafimin e teknologjive të reja.
“Këto reforma kërkojnë guxim dhe ndershmëri. Ato duhet të trajtojnë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregjeve të punës, hartimin e politikave realiste të migracionit dhe investimin për sigurimin e plakjes së shëndetshme të popullsisë. Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike.”
Gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim analizoi se plakja e popullsisë mund t’i heqë rreth 0.6 pikë përqindje rritjes vjetore ekonomike, pra nga 4% në 3.6%.
/vizionplus.tv









