
Biznesmeni Behgjet Pacolli u mor në pyetje për rreth 4 orë nga Prokuroria e kryeqytetit. Organi i akuzës e thirri atë si person që ka dijeni për aeroportin e Vlorës. Për këtë çështje, në prokurori janë depozituar dy kallëzime: një nga biznesmeni Valon Ademi dhe më pas një tjetër nga vëllai i Pacollit kundër ortakut të tij në ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
“Isha për të dhënë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar. Si person i informuar është e drejtë të shkoj dhe të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjigjur. Vëllai im ka bërë kallëzim ndaj personave dhe unë isha praktikisht si person i informuar për të dhënë deklarata.”
Ai tha se ka besim se drejtësia do të funksionojë.
“Qeveria nuk ka të bëjë këtu. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria këtu. Unë e kam lënë në duart e drejtësisë, unë besoj shumë në drejtësi dhe vendimet gjyqësore dhe do të veproj ashtu siç do të pasojë.”
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pasur përplasje me ortakët e tij që po ndërtojnë aeroportin. Aktualisht, prokurori Ndini Tavani po heton kallëzimet e bëra nga biznesmeni Pacolli dhe biznesmeni Valon Ademi, në lidhje me kuotat takuese në Aeroportin e Vlorës.
Burime të sigurta pranë prokurorisë konfirmojnë se organi i akuzës së kryeqytetit ka regjistruar procedim penal për mashtrim, bazuar në kallëzimet e të dyja palëve, por ende nuk ka emër të regjistruar si person nën hetim.
/vizionplus.tv









