Partia Demokratike organizoi Programin e Trajnimit për Deputetët e Rinj të PD-së, me qëllim forcimin e kapaciteteve politike dhe profesionale të përfaqësuesve të rinj në Kuvend.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ndau me ta mesazhe dhe këshilla për rolin, përgjegjësitë dhe misionin e tyre politik.

“Është mundësia e jetës suaj që me ligje dhe vendime, me nisma legjislative, ju të ndikoni në jetën, veprimtarinë e mijëra, mijëra, mijëra qytetarëve. Në jetën e vendit. Pra, të ushtroni kështu, për mirë sigurisht është fjala, influencën më të madhe. Por kjo kërkon përkushtimin tuaj”, tha Berisha.

Berisha u ndal veçanërisht te rëndësia e raportit të deputetit me zgjedhësit, të cilin e quajti “më thelbësorin nga të gjitha raportet politike”. Ai theksoi se deputeti nuk duhet të shkëpusë kurrë lidhjet me elektoratin, por të mbetet gjithmonë avokati i interesave të tyre dhe zëri i qytetarëve në Kuvend.

Berisha u ndal edhe te mungesa e stafit për deputetët, duke e cilësuar parlamentin aktual si “skeletik” dhe joefikas.

“Ju jeni deputetë me duar në xhepa. Jeni njerëz pa asnjë staf çka e gjymton punën e parlamentit. Jeni njerëz pa staf, qoftë për kontaktet e vazhdueshme me zgjedhësit, por jeni njerëz pa staf qoftë për mbështetjen e veprimtarisë tuaj në parlament. Ky është një parlament skeletik ta quajmë. Ndaj dhe gjykoj se është e domosdoshme krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre”, tha lideri i PD-së.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të mos shkelin kurrë parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Në çdo variant, kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut. Parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë thelbi i ndërgjegjes njerëzore sot”, përfundoi ai.

Share.
Exit mobile version