Analisti Mentor Kikia ka komentuar atentatin e ndodhur mesditën e kësaj të marte në Rinas, ku humbi jetën  47-vjeçari Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u plagos rëndë Muçi Sheqeri.

Kikia e cilësoi këtë ngjarjen si një dëshmi të rikthimit të përplasjeve të forta mes grupeve kriminale. Ai theksoi se autorët kanë vepruar me planifikim të kujdesshëm dhe kanë pasur informacion të saktë për lëvizjet e objektivit, ndërsa paralajmëroi se ngjarje të tilla rrisin ndjeshëm pasigurinë publike.

Sipas analistit, prania e bashkëpunëtorëve të bandave brenda strukturave të policisë e bën të vështirë zbulimin e autorëve dhe ndëshkimin e tyre.

Kikia: Janë zbrazur pafund plumba që kanë fluturuar në drejtim të pakontrolluar, që kanë shkuar nëpër xhama biznesesh. Pra, mund të kishte pasur viktima të pafajshme, siç ka ndodhur në shumë atentate. Autorët kanë pasur informacion për mbërritjen e avionit, linjën e avionit. Ka qenë e planifikuar që të mos dështonte. Autorët e këtyre krimeve nuk zbulohen nga policia, për shkak të inkriminimit të policisë brenda vetë policisë. Sepse në shumë banda ka bashkëpunëtorë brenda policisë. Ata që merren me hetimin e ngjarjes mund ta dinë autorin, por s’mund ta çojnë para gjyqit sepse u duhen prova. Grupet rivale e dinë, dhe mendojnë për krimin hakmarrës.

Ajo që lidhet me sigurinë ka të bëjë me panikun që krijohet në të tilla ngjarje. Dhe këta njerëz nuk marrin asnjë kosto, por kryejnë aksionin. Kishin munguar përplasje të forta mes këtyre grupeve. Kjo rikthen në skenë një nga grupet kriminale aktive.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version