
Kryeministri Edi Rama ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij për sektorin e ndërtimit, si një nga sektorët që gjenerojnë sipas tij më shumë të ardhura dhe që e çojnë vendin në një tjetër nivel.
Gjatë një takimi, Rama tha se akuzat që hidhen për këtë sektor janë të pabaza.
“Kemi dëshirë të flasim se si ky realitet transformues në sektorin e ndërtimit mbështet rritjen e vet tek ekonomia që rritet. Për fat të keq, si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes, është një sektor që merr goditje të vazhdueshme dhe lëndon një numër të madh protagonistësh. As nuk e vë në dyshim, që edhe në sektorin e ndërtimit si në çdo sektor tjetër, si në çdo vend tjetër që na bëjnë neve leksion ka probleme. Këtu tek ne janë më të mprehta sesa në vendet e tjera.
Që këtë sukses evident të Shqipërisë, që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm ta fusim në kornizën e krimit, është e neveritshme dhe e papranueshme.
Ka shumë arsye pse Shqipëria bën ndërtime dhe ti lexojnë ata që duan. Është e pamundur të pranojmë që shumica dërmuese e atyre që investojnë të futen në thesin e baltës për disa që mund të jenë ashtu siç thuhet”, tha Rama.








