Në lagunën e Vainit vijon operacioni i ndërlikuar për mbylljen e argjinaturës që cedoi mbrëmjen e djeshme për shkak të prurjeve të larta.
Prej sinjalizimit të situatës, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, ekipe teknike dhe forca ushtrie janë në terren me mjete të rënda dhe kamionë të ngarkuar me gurë e inerte, me synimin për të frenuar depërtimin e ujit drejt zonave të banuara.
Ndërhyrja po zhvillohet mes vështirësish të mëdha pasi rruga që të çon te argjinatura kalon brenda territorit të mbrojtur të kënetës. Kjo e bën lëvizjen e mjeteve të ngadalshme dhe të rrezikshme, duke vështirësuar ritmin e punimeve.
Pavarësisht kushteve të vështira, terreni nuk është lënë asnjë çast pa vëzhgim. Krahas ekipeve të bashkisë, ndihmë kanë ofruar edhe disa kompani private që kanë vënë në dispozicion flotën e tyre të mjeteve për të përshpejtuar mbylljen e çarjes, me qëllim shmangien e mëtejshme të përmbytjeve në fshatrat e Njësive Administrative Shënkoll dhe Zejmen.
Burime nga Bashkia Lezhë konfirmojnë se puna do të vijojë pa ndërprerje edhe gjatë orëve të natës, deri në stabilizimin e situatës dhe mbylljen e plotë të argjinaturës së dëmtuar.

