Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në prezantimin e raportit të FIAA-s “Business Environment in Albania 2025”, ku vlerësoi kontributin e këtij dokumenti si një udhërrëfyes të rëndësishëm për përmirësimin e politikave publike dhe forcimin e dialogut me sektorin privat.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi progresin e arritur në disa fusha, përfshirë transparencën e procedurave qeveritare, marrëdhëniet me administratën tatimore, lehtësimin e procedurave të licencimit dhe lejeve, prokurimet publike, si dhe klimën politike dhe zbatimin e ligjit.

Ajo vuri gjithashtu në dukje sfidat që vazhdojnë të mbeten, si burokracia, korrupsioni, informaliteti, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe çështjet e regjistrimit të pronave.

Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të qeverisë me komunitetin e biznesit për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë e tregut të vetëm evropian, duke u fokusuar në standardet, ligjet dhe politikat që e bëjnë biznesin shqiptar më konkurrues.

Duhet të bashkëpunojmë në çështje shumë të rëndësishme, që janë standardet që komuniteti i biznesit duhet të arrijë për të përfituar sa më shumë nga tregu unik evropian. Prioriteti im do të jetë bashkëpunimi me komunitetin e biznesit për maksimizimin e njohjes nga ky komunitet mbi politikat dhe ligjet që lidhen me tregun e brendshëm, me synim përafrimin e standardeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun e vetëm europian”, deklaroi  Ibrahimaj.

Sipas raportit të FIAA-s, bizneset kanë shënuar përmirësime të dukshme në fusha kyçe, si transparenca e procedurave (+16 pikë), marrëdhëniet me administratën tatimore (+9 pikë) dhe thjeshtimi i licencave e lejeve (+10 pikë). Megjithatë, ministrja nënvizoi se sfida si burokracia, korrupsioni, informaliteti dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar mbeten prioritete të agjendës qeveritare.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version