Liderët e Ballkanit Perëndimor u bënë bashkë këtë të premte në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin “Plani i rritjes, rruga jonë në BE.”

Krerët e shteteve, mes tyre edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u pritën në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, i cili i uroi mirëseardhjen po ashtu edhe komisioneres së BE, Marta Kos, si edhe ambasadorit të delegacionit të BE, Silvio Gonzato.

Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë tha shkurtimisht se për çfarë u diskutua gjatë takimit me dyer të mbyllura.

Rama: Sot mund të them që kemi mbyllur një takim të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me BE, duke konfirmuar se plani i rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian. Shkurtimisht po sjell në vëmendje disa nga angazhimet, roaming që me marrëveshjen e re do të përfshihet edhe për qytetarët tanë në regjimin e BE-së, një hap i rëndësishëm pas atij me pagesat të cilat tanimë bëhen pa asnjë pagesë ekstra duke kursyer dhjetëra miliona euro nga xhepat e qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Ndërlidhja me korridoret evropiane vazhdon të mbetet prioritet dhe vazhdon të financohet nga instrumentat e BE.

Tregtia përmes një plani të detajuar, transformimi digjital dhe identiteti digjital të cilin ne e kemi gati dhe do ta fusim në jetën reale në fillim të vitit të ardhshëm duke i paraprirë atij që do të jetë sistemi i identifikimit digjital të BE. S’do të ketë më nevojë për ID, pasaporta, sepse identifikimi do të bëhet përmes celularit. Folëm dhe për turizmin si një komponent që duhet zhvilluar në prizmin e bashkëpunimit mes vendeve. Kemi hapur një shteg tjetër për të bashkëpunuar me Komisionin në funksion të arsimit të lartë./vizionplus.tv 

Share.
Exit mobile version