28 mijë maturantë në të gjithë vendin zhvilluan këtë të martë provimin e tretë të maturës shtetërore, atë të matematikës.

Ky testim, ka në total 60 pikë, 20 pikë pyetjet me alternativa, dhe 40 në ato me zhvillim të ndara në 33 ushtrime. Sipas rregullores, në të gjitha qendrat e provimit, tezat u hapën në orën 10:00 dhe për dy orë e gjysmë, gjimnazistët u dhanë zgjidhje pyetjeve, të cilat i konsiderojnë edhe më i vështira se dy provimet e para.

Masat e sigurisë ishin të njëjta pasi rreth 70% e qendrave janë të pajisura me kamera, që monitorojnë procesin e maturës shtetërore. Por as ky provim nuk i shpëtoi publikimit në rrjetet sociale 30 minuta pas nisjes së tij.

Një reagim ka ardhur dhe nga ana e Ministrisë së Arsimit, ku theksohet se dalja e tezës pas nisjes së provimit, nuk cenon aspak procesin.

“Ritheksojmë se publikimi i tezës së provimit të Maturës, pas nisjes së provimit, nuk cenon në asnjë rast procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore.  Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin, vazhdojnë të zhvillojnë provimin në lëndën e Matematikës qetësisht dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore,  duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme në Matematikë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.

Maturantët janë njohur tashmë me rezultatet e provimit të gjuhës së huaj, dhe. brenda javës pritet të publikohen edhe nota e provimit të gjuhës shqipe. Ndërsa u ka mbetur për të dhënë dhe testimi i lëndës me zgjedhje, në datë 24 qershor./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version