Qarku i Lezhës po përballet me përmbytje të konsiderueshme në tokat bujqësore si pasojë e reshjeve të shumta që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Sipërfaqe të tëra të mbjella kryesisht me grurë dhe jonxhë janë mbuluar nga uji, duke rrezikuar prodhimin e sezonit dhe duke shkaktuar shqetësim te fermerët e zonës.
Zonat më të prekura janë Njësia Administrative Zejmen dhe Shënkollë, ku niveli i ujit ka qenë më i lartë për shkak të mbingarkesës së kanaleve kulluese dhe prurjeve të mëdha. Në disa parcela, uji ka qëndruar për orë të tëra, duke dëmtuar kulturat bujqësore që ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi.
Fermerët shprehin shqetësim jo vetëm për dëmet e menjëhershme, por edhe për ndikimin që përmbytjet mund të kenë në të ardhmen e afërt, sidomos nëse reshjet vazhdojnë. Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa pjesë të mëdha të tokave të mbjella vazhdojnë të jenë nën ujë.
/vizionplus.tv

