
Një takim historik është zhvilluar në Vatikan mes Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, dhe Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV.
Takimi, i mbajtur në kuadër të audiencës private pas pjesëmarrjes në nismën ndërkombëtare “Osare la pace”, organizuar nga Komuniteti i Sant’ Egidios në Romë, shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërfetare dhe përpjekjet e përbashkëta për paqe në mbarë botën.
Njoftimi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë
Takim historik i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan me Shenjtërinë e Tij, Papa Leo XIV
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, u takua me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV. Ky takim historik u zhvillua në një audiencë private, pas pjesëmarrjes në Takimin Ndërkombëtar “Osare la pace”, të organizuar nga Komuniteti i Sant’ Egidios në Romë.
Në këtë takim vëllazëror u diskutua për çështje të ndryshme me interes të përbashkët dhe u theksua rëndësia e rivendosjes së paqes dhe ndalimit të luftrave që po mundojnë botën. Diskutimi u ndal edhe në interesimin dhe përkujdesjen e veçantë ndaj të rinjve të cilët janë jo vetëm e ardhmja, por dhe e tashmja e shoqërive.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon të jetë e angazhuar për të pasur marrëdhënie miqësore dhe të hapura me të gjithë, duke ndikuar në harmoninë dhe mirëqenien e përgjithshme. Ky takim historik dëshmon për përpjekjet e përbashkëta të të krishterëve si faktor kyç për paqen, në të cilin Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë luan një rol shumë të rëndësishëm. Në fund të takimit u shkëmbyen dhurata.











