Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë sjellë daljen nga shtrati të lumit Osum në fshatin Leshnjë të Bashkisë Korçë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe në bujqësi e blegtori.

Banorët raportojnë se uji ka depërtuar me shpejtësi në disa godina dhe stalla, duke rrezikuar jetën e njerëzve, por dhe batëgitë.

Adriatik Ropi tregon se ujërat kanë hyrë brenda stallës së tij, duke vënë në rrezik çobanin që ndodhej në punë si dhe duke shkaktuar ngordhjen e rreth 50 deleve.

“Lumi ka ardhur zakonisht, ka rënë një javëm dy javë shi dhe nuk kemi pasur këto lloj përmbytje. Tani erdhi lumi, mbyti shtëpitë, bagëtitë, stallat. 50 krerë i mori lumi, disa i groposëm. Stalla është dëmtuar. Ishte bariu aty, e nxorëm me fadromë, e shpëtuam. Bagëtitë ishin brenda, mbyteshin, dilnin të mbytura. Nuk hynim dot andej”, thotë Ropi.

Të dëmtuar nga dalja e lumit Osum janë edhe banorët Robert Ropi dhe Perparim Nako, të cilët raportojnë dëme si në shtëpitë e tyre ashtu edhe në mjediset bujqësore e blegtorale.

Fshati Leshnjë, pjesë e njësisë administrative Vithkuq, është një zonë që mbështetet kryesisht në blegtori, çka e bën goditjen nga përmbytjet edhe më të rëndë për familjet që jetojnë aty. Autoritetet vendore ndodhen në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të mbështetur banorët.

Share.
Exit mobile version