Reshjet e dendura të natës dhe mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar një sërë problemesh në disa zona të qarkut të Korçës ndërsa strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile vijojnë punën për normalizimin e situatës.

Prefektura e Qarkut Korçë njofton se disa prej ndërhyrjeve më urgjente janë kryer në institucionet publike, zonat urbane dhe disa fshatra të prekur nga prurjet e mëdha të ujit.

Në qytetin e Korçës, ambientet në bodrumin dhe arkivën e Prokurorisë u përmbytën nga reshjet intensive, duke rrezikuar dokumentacionin. Ekipet ndërhynë gjatë natës me pompimin e ujit dhe situata aktualisht paraqitet e stabilizuar.

Ndërkohë Maliqi ka qenë një nga zonat më të prekura. Në Bllokun 3, për shkak të një mase elektrike dhe prezencës së ujit, OSHEE u detyrua të stakojë një fider, duke shkaktuar mungesë energjie në një pjesë të qytetit. Puna për largimin e ujit dhe rikthimin e energjisë vijon. Në Sovjan, skuadrat e MZSH evakuuan banorët, bagëtitë dhe kosheret e bletëve, ndërsa gjendja po shkon drejt normalizimit.

Raportohet gjithashtu për bagëti të mbytura në Leshnjë dhe për prezencë uji në oborre banesash pranë Vloçishtit, ku ndërhyrjet vazhdojnë. Situatë e rënduar është shënuar edhe përgjatë Lumit Dunavec, i cili është çarë në dy pika duke përmbytur toka bujqësore; në zonë po mbërrijnë mjete të specializuara nga Pogradeci.

Probleme vijojnë edhe në territorin e Bashkisë Pustec, ku ekziston rreziku i daljes së përroit në aksin Doganë–Goricë e Vogël. Po ashtu, në rrugën Zvezdë–Goricë janë shënuar prani inertesh të sjella nga rrëshqitjet, ndërsa kontraktori ndodhet në terren për pastrim.

Në Devoll, reshjet e natës kanë përkeqësuar situatën në disa fshatra, veçanërisht në Progër dhe Mançurisht. Në Dobranj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme pasi dalja e përroit ka përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore.

Shkarje dheu e gurësh janë raportuar në rrugën Miras–Arrëz, ndërsa në Poloskë një banesë është përmbytur dhe gjatë natës është vendosur pompë për largimin e ujit. Probleme me rrëshqitje raportohen edhe në Qytezë.

Prefektura e Qarkut Korçë nënvizon se monitorimi i territorit vijon pa ndërprerje dhe strukturat janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo emergjencë të shkaktuar nga reshjet, me synim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version