
Finalizohet nga Policia Kufitare operacioni “Marine”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kuifirit.
Një 47-vjeçar, i cili fshehu në kamionin e tij 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht në Itali është arrestuar.
2 nga shtetasit e fshehur në kamion ishin shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, njëri prej tyre i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Këta 2 shtetas u vunë në pranga, ndërsa shtetasi tjetër i fshehur në kamion, i dënuar më parë në Itali, u vu në hetim.
Kamioni, celularët dhe dokumente të këtyre shtetasve janë sekuestruar.
“Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.
-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë”, njofton policia.









