Policia e Elbasanit ka arrestuar dy shtetas që dyshohet se jepnin para me fajde.
Ata kanë dhunuar fizikisht dhe kanë kanosur 2 shtetas (babë e bir), që t’iu kthenin shumën e parave të dhënë me fajde.
Sipas policisë, dy të arrestuarit janë me precedent penal në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.
Në kuadër të operacionit “threat” u arrestuan shtetasit P. G., 21 vjeç, dhe D. S., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Nga hetimet dyshohet se këta, gjatë dy muajve, kanë dhunuar fizikisht dhe kanë kanosur 2 shtetas (babë e bir), që ata t’iu kthenin shumë e parave që shtetasit P. G. dhe D. S. ia kishin dhënë me fajde.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 automjet dhe 3 celularë.

