Liria duket e largët për ish-presidentin Meta edhe një vit pas izolimit të tij.
Këtë të mërkurë pas kërkesës së bërë nga avokati i tij, Kujtim Cakrani për shuarjen e masës së sigurisë, me arsyetimin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit, Gjykata e Posaçme e la sërish në qelinë e 313-s.
Ndërkaq dosja e tij është në pritje të vendimit nëse do të kalojë apo jo në gjykim, verdikt që do të merret nesër.
“Precedentit të mbajtjes peng të presidentit pa ligj. Vërtet jemi në seancën paraprake, por nuk kemi zhvilluar asnjë seancë. Nuk e dimë kur do të përfundojë kjo seancë. Nuk e dimë sa do të zgjasë, çfarë vendimi do të marrë gjykata, kështu që jemi në errësirë totale. Gjykata e ka mbushur kupën, ka rrëzuar kërkesën tonë, por është një precedent shumë i rrezikshëm. Afati njëvjeçar është ezauruar dje. Teknikalitetet që mund të gjejë gjykata nuk kanë asnjë vlerë. SPAK ka kërkuar kalimin për çështjen në gjyq. Ne kemi bërë kërkesë për revokimin e masës, të nisur nga precedenti i zotit Berisha”, tha avokati.
I bindur në pafajsinë e të mbrojturit prej tij, Cakrani thotë se nuk ka asnjë rrezik që Ilir Meta të prishë provat.
“Nuk ka asnjë dëshmitar që ka dalë për të folur kundër tij, që ai mund të intimidojë. Kjo është situatë shumë e rëndë, sepse prezumimi i pafajësisë nuk ekziston më. Kjo është kambanë alarmi. Këto gjykata janë toga pushkatimi. Prokurorët nuk kishin asnjë argument pse Meta duhet të qëndronte në burg. Të shohim çfarë do të na thotë gjyqtare Irena Gjoka”, tha Cakrani.
SPAK zgjati hetimet për ish-presidentin e vendit dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi deri në tetor të këtij viti. Meta akuzohet se ka kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje të origjinës së tyre në lidhje me dosjet Cez-Dia, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për shpenzime familjare./vizionplus.tv
