Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double Flames”, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, duke zbardhur djegien e qëllimshme të dy automjeteve në qytet.

Ngjarja ka ndodhur më 10 nëntor 2025, në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës, ku u përfshinë nga flakët dy automjete, një “Audi” dhe një “Suzuki”.

Pas hetimeve të thelluara dhe punës së mirëorganizuar nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë ndalimi i shtetasit Xh. S., 21 vjeç, dhe shpallja në kërkim e shtetasit D. D., 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Sipas policisë, të dy të rinjtë dyshohen se kanë bashkëpunuar në djegien e automjeteve, duke përdorur lëndë djegëse. Ende po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të ngjarjes dhe për kapjen e autorit të dytë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit nënvizon se vijon puna për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ngjashme, si dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të veprimtarive kriminale në numrin 112 ose përmes Komisariatit Dixhital.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version