Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke rrëzuar kërkesën për lirimin.

Në një postim në rrjetin social, Meta e cilësoi vendimin si të parashikueshëm dhe akuzoi gjykatën për zvarritje të qëllimshme të procesit, me synim pengimin e ndjekjes së çështjes në instancat ndërkombëtare.

“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo gjykatë nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 mars 2020 kur këta betoheshin te Lana. Por së paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre. Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji”, shkruan Meta.

Share.
Exit mobile version