GJKKO është tërhequr për të marrë vendim për Belinda Ballukun dhe dy vartësit e saj.

Ditën e sotme, në orën 09:00, Belinda Balluku bashkë me vartësit e saj, krerët e ARRSH dhe të KESH  u paraqitën në GJKKO për t’u njohur me masat respektive të sigurisë.

Ballukut do t’i komunikohet edhe vendimi që e ndalon të dalë nga Shqipëria një kërkesë kjo e Prokurorisë së Posaçme dhe e vendosur nga Gjykata Antikorrupsion.

Dy vartësit e saj, Gentian Gjyli i ARRSH dhe Erald Elezi i KESH, janë vendosur në masa arresti shtëpiak, ndaj drejt gjykatës u shoqëruan nga forca policie.

Seanca gjyqësore, e cila nisi në orën 09:00 u shty me dy orë pas kërkesës së bërë nga avokatët e tre të pandehurve për tu njohur me aktet dhe fashikujt e dosjes hetimore që i shërbyen gjykatës për t’i caktuar masat e sigurisë.

Belinda Balluku sipas vendimit të së enjtes është pezulluar si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si zëvendës kryeministre. Kjo për shkak të dyshimeve se ka kryer dy herë shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, fillimisht me tunelin e Llogarasë e më pas nga hetimet u zbuluan edhe abuzime me lotin 4 të Unazës së Madhe.

Tenderi për ndërtimin e tunelit ka pasur një fond limit 190 milionë euro, kurse ai e Unazës së Madhe, 20 milionë euro. Sipas SPAK, autoriteti kontraktues ka paracaktuar fituesit dhe ka zgjedhur ofertën më të madhe, dhe rrjedhimisht duke  shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.

Share.
Exit mobile version