Pas një hetimi operativ, forcat shqiptare kanë arrestuar në Tiranë 52-vjeçarin Besim Sherifi, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, Shkup, ku humbën jetën tre persona. Për të, gjykata në Maqedoninë e Veriut kishte caktuar arrest në mungesë, që sipas ligjit parashikon burgim të përjetshëm.
Sherifi përdorte identitetin e një shtetasi kosovar, me dokumente që iu sekuestruan dhe dyshohet të jenë të falsifikuara. Ai u kap në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku jetonte me qira prej 10 vitesh, siç raporton gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj.
Në momentin e arrestimit, ai mohoi të ishte Sherifi, por kontrolli i gishtave konfirmoi identitetin e tij. Hetimet e autoriteteve shqiptare u mbështetën edhe në informacionin e marrë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
/vizionplus.tv

