Për herë të parë Pogradeci mirëpriti festivalin ndërkombëtar të Akuarelit, një event kulturor që bëri bashkë artistë nga më shumë se 30 vende të botës.
Sipas organizatorëve, Pogradeci është qyteti i duhur për realizimin e një festivali të tillë në përmasa të mëdha.
Pjesa më e madhe e artistëve të huaj e vizitonin për herë të parë qytetin.
“E pëlqej këtë qytet, më tepër i zhvilluar se mendoja, sot pikturoja dhe kisha një pamje fantastike, ju betohem, një nga pamjet me të bukura që kam pikturuar ndonjëherë. Mendoj se ky event e ngre në një shkallë më lart këtë zonë. Ju duhen këto evente për të promovuar turizmin”, u shpreh Hamit Kappor, piktor indian.
“Kam ardhur disa herë në Pogradec, këtë herë jam kënaqur shumë. Ky është qyteti i artit, e mbështet dhe kur më ftuan të isha pjesë e këtij festivali u nderova. Di të them që ky qytet mund të bëhet qendër e artit në Shqipëri”, u shpreh Atanur Dogan, piktor turk.
“Është nder të jesh këtu në qytetin e bukur të Pogradecit, jemi entuziaste që akuareli erdhi këtu, ju jeni mikpritës, na jepni ngrohtësi dhe duam të bashkëpunojmë përherë me shqiptarët. Jemi të gjithë të kënaqur që erdhëm”, u shpreh Giovanni Balzarani, piktor Italian.
Një pjesë e punimeve të këtij festivali do i dhurohen fondit të galerisë së artit të Pogradecit ndërsa piktorët realizojnë punime në disa prej destinacioneve me interesante të zonës./vizionplus.tv

