Fluksi i hyrjeve nga Greqia në drejtim të vendit tonë vijon të mbetet i lartë në pikën e kalimit Kufitar të Kapshticës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga vendi fqinj drejt Shqipërisë kanë hyrë 4808 shtetas, kryesisht shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ndërsa kanë dalë 2431 shtetas.
Për të përballuar fluksin në rritje të emigrantëve, Policia Kufitare po operon me katër sportele në hyrje dhe tre sportele në dalje, ku përfshihet edhe korsia e dedikuar për mjetet e rënda dhe autobusët.
Situata paraqitet e ngjashme edhe në pikën e kalimit Kufitar të Qafë Thanës, ku fluksi vijon të jetë i lartë si në hyrje ashtu edhe në dalje. Gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë 3260 shtetas dhe kanë dalë 3177 shtetas.
Në hyrje, autoritetet kufitare po punojnë me katër sportele, me qëllim shmangien e radhëve dhe përshpejtimin e procedurave.

