Policia e Shtetit shkatërron skemën e mashtrimit “Smart Bank Phishing” – në pranga 21-vjeçari nga Laçi

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”, i cili kishte në shënjestër goditjen e një skeme mashtrimi kompjuterik përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të rreme bankare.

Si rezultat, u arrestua shtetasi Orlando Gjoka, 21 vjeç, banues në Laç, ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.

Sipas hetimeve, i riu Orlando Gjoka kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Ai kontaktonte qytetarët, duke iu ofruar kredi të rreme, ndërsa përmes mashtrimit siguronte akses të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, nga ku më pas transferonte fondet.

Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, mashtruesi i bindte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e një kredie të rreme prej 15 000 eurosh.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave të Krimit Kibernetik dhe Forcës së Posaçme Operacionale, u bë e mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme. Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të skemës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.

Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj faqeve dhe profileve të dyshimta që përdorin emra bankash apo institucione financiare, të mos dërgojnë të dhëna personale apo para për oferta të rreme kredish, dhe të raportojnë çdo rast të ngjashëm në numrin 112 ose në Komisariatin Dixhital.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version