Pesëdhjetë e pesë punonjës të Kadastrës së Vlorës kanë kundërshtuar sërish vendimin për zhvendosjen e institucionit drejt Tiranës. Prej  dy ditësh ata kanë kundërshtuar këtë vendim, i cili sipas tyre ka ardhur në mënyrë të beftë dhe të papritur.

Punonjësit shprehen se zhvendosja është e pamundur për shkak të kushteve familjare, pasi shumica prej tyre kanë familje, prindër dhe fëmijë, çka e bën të pamundur lëvizjen e përditshme apo transferimin drejt Tiranës për të ushtruar detyrën.

Kundërshtimi ka qenë i fortë, madje edhe nëndrejtori i Kadastrës së Vlorës Sokol Shehaj është shkarkuar nga detyra pasi ka mbështetur punonjësit. Ndërkohë, afati i fundit për zhvendosjen është fundi i muajit, periudhë gjatë së cilës duhet të spostohet edhe baza materiale e institucionit. Pas kësaj, sipas punonjësve, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me ta.

Ata kërkojnë mbështetje nga mediat, por edhe nga institucionet përgjegjëse, deputetët dhe përfaqësuesit politikë të qytetit të Vlorës./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version