
Edhe pse eksportet shqiptare tregojnë shenja “jete”, në muajin tetor ato u rritën vetëm me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, nënsektori i fasonerisë po përballet me vështirësi të mëdha, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në një situatë të komplikuar, ku eksportuesit shqiptarë kanë shumë të vështirë të dalin.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, muajin e kaluar në tregjet e huaja u derguan vetëm 4 mijë ton tekstile dhe këpucë, duke shënuar një rënie prej 2.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Është një sfidë e madhe, por bizneset po përpiqen të gjejnë mundësi në tregje të reja. Megjithatë, së pari duhet të ndalet kjo hemoragji e eksporteve, e cila përkthehet në rënie të punësimit dhe humbje për bizneset, duke bërë që eksportuesit shqiptarë të orientohen gjithnjë e më shumë drejt tregjeve të reja”, u shpreh Edvin Prençe, kreu i shoqatës Pro-Export Albania.
Rritja e pagës minimale nga 400 në 500 euro duket si një ndihmë për punëtorët e sektorit të fasonerisë dhe jo vetëm. Por, së bashku me zhvlerësimin e euros, kjo mund të rrezikojë falimentimin e shumë fasonerive.
“Sektori privat duhet të përballet me çdo rritje të pagës minimale, pasi kjo është e detyrueshme duke marrë parasysh rritjen e çmimeve. Por, nëse kjo rritje nuk shoqërohet me iniciativa qeveritare për ta përforcuar, ajo mund të kthehet në një goditje të re për bizneset shqiptare”, shtoi Prençe.
Edhe pse partnerët kryesorë tregtarë të vendt mbeten vednet e rajonit, sipas të dhënave nga INSTAT ka patur diversifikime edhe në vendet Afrikane apo ato Aziatike./vizionplus.tv









