Një viktimë dhe dy të plagosur rëndë është bilaci i aksidentit të djeshëm në aksin rrugor Gramsh – Poroçan.
Infermierja Dëshira Hoxha, 43 vjeçe humbi jetën, ndërsa mësuesja Albana Boja, 39 vjeçe dhe shoferi Shaban Kotorrin, 38 vjeç kanë mbetur të plagosur.
Por në një reagim prekës, zjarrëfikësit e Gramshit kanë treguar orët e tmerrit dhe se si u bë e mundur nxjerrja e trupave.
“Sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë i zjarrëfikësve të Gramshit:
Ditën e djeshme, shërbimi ynë zjarrfikës u përball me një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme në rrugën Gramsh – Poroçan. Një kamion me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, duke sfiduar çdo përpjekje njerëzore për të fituar kohë ndaj fatit.
Brenda mjetit ndodheshin tre jetë: shoferi, një mësuese dhe një infermiere.
Mes terrenit të ashpër, heshtjes së rëndë dhe minutave që dukeshin si orë, filloi beteja për t’i nxjerrë një nga një. Fillimisht u shpëtua mësuesja dhe u nis me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, duke prerë pjesë të kabinës mes llamarinave dhe hekurit të shtrembëruar, u nxor edhe shoferi.
Së fundmi, sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve.
Shërbimi ynë shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjes së saj në këtë moment dhimbjeje të pafjalë.
Urojmë shërim të shpejtë dhe forcë për dy të plagosurit.
Falënderojmë me mirënjohje banorët e zonës, që u bënë pjesë e këtij misioni njerëzor në një nga ditët më të vështira.
Falënderojmë Urgjencën dhe Spitalin e Gramshit për gatishmërinë dhe përkushtimin.
Falënderojmë Komisariatin e Policisë Gramsh për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Një përulje e veçantë për djemtë e shërbimit tonë zjarrfikës, që mes rrezikut, lodhjes dhe dhimbjes, qëndruan në këmbë për të mbrojtur jetën./vizionplus.tv

