Sot, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi Kongresin e Manastirit, i cili me aktin historik të vitit 1908 i dha kombit bashkimin përmes germave të njësuara të gjuhës amtare.
Gjatë një fjalimi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe ndër breza, sakrificat e atdhetarëve dhe kontributin e studiuesve për ruajtjen dhe pasurimin e shpirtit të kombit.
“Gjuha është shenja e kombësisë, është shpirti i një kombi. Ajo mban kujtesën, zakonet, këngët, legjendat, mënyrën tonë të të menduarit e të ndierit. Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, që i ka mbijetuar pushtimeve, ndalimeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur. Asnjë fuqi e huaj nuk mundi ta shlyejë, sepse ajo jetonte në zemrat e njerëzve, në fjalët e nënës, në këngët e trimave, në rrëfimet e të urtëve. Shqipja na ka mbajtur gjallë si komb kur nuk kishim shtet, kur nuk kishim ushtri e as kufij të përcaktuar. Prandaj, të ruash e të zhvillosh gjuhën shqipe është një akt patriotik po aq i rëndësishëm sa mbrojtja e atdheut”.
Në kushtet e hyrjes së fjalëve të reja si efekt i vrullit teknologjik, Kreu i Shtetit vuri theksin në pasurimin e gjuhës dhe përcjelljen e saj te fëmijët, sidomos të atyre të Diasporës.
“Çdo gjuhë, por veçanërisht ato që fliten nga një numër më i vogël bashkëkombësish, si shqipja, ditët e sotme janë në rrezik, nga njëra anë prej ndikimit të gjuhëve ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, prej deformimeve që ndodhin në komunikimin digjital. Besoj se pedagogët e nderuar të këtij universiteti e dinë më mirë se kushdo se, kush nuk e flet mirë gjuhën e vet, do të jetë gjithmonë i kufizuar të mësojë gjuhët e tjera. Kush dëshiron të flasë mirë një gjuhë të huaj, duhet të nisë duke mësuar mirë dhe me dashuri gjuhën amtare”, – theksoi Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit nderoi figurat historike të Kongresit të Manastirit, e krahas tyre kontributin e atdhetarëve e të studiuesve të mëvonshëm. Duke iu referuar veprimtarëve shkodranë, Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Luigj Gurakuqit, emrin e të cilit mban universiteti i Shkodrës, ku dhe u kremtua Dita e Alfabetit, si dhe studimet dhe përpjekjet e studiuesit të historisë së albanologjisë, Jup Kastrati, studiuesit të alfabetit, Tomor Osmani, dhe veprën e gjuhëtarit Bahri Beci.
Në fund të fjalës, Kreu i Shtetit përcolli këtë mesazh bashkë me urimin për Ditën e Alfabetit.
“Sot, ne kemi gjithçka që ata ëndërruan: kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi arsim shqip, media shqip, teknologji shqip. Por kemi edhe një detyrim moral: ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë trashëgimi të shenjtë: gjuhën tonë, si shenja më e gjallë e identitetit shqiptar. Një gjuhë, një shqiptari, një amanet. Pa gjuhë, nuk ka komb! Nuk mund të ketë shqiptari pa gjuhën shqipe, pa shkronjat shqipe. Për shkollat shqipe, Kongresi i Manastirit na mëson se bashkimi është forca që i jep kuptim çdo përpjekjeje kombëtare. Të jemi sot si atëherë, një komb që sheh përpara, që nderon rrënjët e veta dhe që beson në fuqinë e gjuhës, të dijes dhe të unitetit. Dua të mbyll fjalën time me një falënderim të vecantë, mjaft të madh për të gjithë shqiptarët, Diasporën e vjetër dhe të re, kudo janë, arbëreshët e Italisë, arbanitasit e Zarës në Kroaci apo arbëreshët e Mandricës në Bullgari dhe të gjitha shoqatat, mësuesit, studiuesit e gjuhës, të cilët, me përkushtim dhe dashuri të madhe punojnë çdo ditë dhe pa u lodhur për të promovuar, për të ruajtur dhe trashëguar këtë gjuhë të mrekullueshme të identiteit tonë. Gëzuar përjetë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”
Gjatë vizitës në Shkodër për festimin e Ditës së Alfabetit, Presidenti i Republikës u prit nga Kryebashkiaku Benet Beci. Kreu i Shtetit zhvilloi takime me studiues shqiptarë, vizitoi bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi”, si edhe muzeun “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”./vizionplus.tv

