Sekreti për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, duke goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e kartëmonedhave euro të dyshuara të falsifikuara. Si rezultat i operacionit, u arrestuan katër persona, mes të cilëve Alesio Brungaj, 19 vjeç nga Shkodra, Serxhio Lala, 26 vjeç nga Tirana, Enis Alia, 19 vjeç nga Tirana dhe një i mitur 17 vjeç nga Tirana. Një tjetër person, A. P., 19 vjeç nga Kruja, u shpall në kërkim.

Tre prej të arrestuarve dhe i mituri u kapën në flagrancë duke tentuar të tërhiqnin nga një postë në Tiranë 11 pako me kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, të cilat ishin dërguar nga A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për shpërndarjen e tyre. Hetimi ka zbuluar se Alesio Brungaj dyshohet të ketë porositur shumën prej 18,000 eurosh, në prerje të ndryshme, me qëllim që ato të hidhnin në qarkullim në Shkodër dhe Mal të Zi.

Ndërkohë, Serxhio Lala, Enis Alia dhe i mituri dyshohet se shisnin euro të falsifikuara përmes TikTok, ku komunikonin edhe me të riun nga Shkodra. Për të miturin ka kallëzime të mëparshme për përfshirje në skema të ngjashme, ndërsa të arrestuarit e tjerë nuk kanë pranuar të flasin. Policia vijon hetimet për zbulimin e personave që qëndrojnë pas shpërndarjes së eurove false, ndërsa operacioni për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale vazhdon. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version