
Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seanca publike për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra. Gjithashtu në seancë po shqyrtohet edhe ankimi për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë.
Këshilltari juridik i Presidentit, Ilir Rusmaili, mbrojti para Gjykatës Kushtetuese ligjshmërinë e dekretit të Begajt për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Ai theksoi se dekreti “ka qenë dhe mbetet kushtetues”, duke argumentuar se Kushtetuta dhe jurisprudenca ekzistuese e Gjykatës Kushtetuese e mbështesin plotësisht vlefshmërinë e tij. Rusmaili paralajmëroi gjithashtu se shqyrtimi i akteve administrative nga Gjykata Kushtetuese mund të krijojë precedent të rrezikshëm për tejkalimin e kompetencave të saj kushtetuese.
Ilir Rusmaili: Dekreti i presidentit ka qenë Kushtetues dhe ngelet i tillë edhe sot, për shkak se Kushtetuta dhe jurisprudenca e GJK që janë ende në fuqi sot e kësaj ditë e bënin dekretin kushtetues. Ju e shihni veten kompetencë për të vendosur lidhur me dekretin për shkak se shihni të lidhur me çështjen në themel.
Ju nuk thatë sot që dekreti nuk është akti administrativ ndryshe nga qëndrimet e mëparshme të GJK. Ju e shihni të lidhur, ne nuk kontestojmë asgjë, por shohim disa probleme të vogla. Është normale që për shumicën e çështjeve që vijnë në Gjykatën Kushtetuese, të gjendet një lidhje me aktet zbatuese, aktet individuale administrative.
Nëse lidhja tërheq kompetencën tuaj për gjykimin e këtyre akteve mund të ndodheni para situatës, ku ju mund të jepni ose të hiqni leje legalizime, të jepni ose të hiqni leje ndërtimi, të jepni ose të hiqni autorizime strehim për të pastrehët.
Kjo është e rrezikshme për GJK sepse e nxjerr atë jashtë funksionit kushtetues. Por ju që i lejuat vetes të drejtën për të shqyrtuar një akt administrativ keni gjetur edhe mekanizmat mbrojtës nga kjo rrëshqitje. Fakt është që ju në fund të ditës do të jenë të detyruar të merrni një vendim në raport me dekretin. Do të përballemi me faktin që ju po merrni në shqyrtim dhe po vendosni fatin e nja akti administrativ, kur Kushtetuta nuk ua lejon këtë.
Në nisje të seancës, përfaqësuesit ligjorë të Presidencës kërkuan shpalljen e moskompetencës së Kushtetueses për ankimimin e Veliajt lidhur me dekretin, kërkesë e cila u rrëzua.








