
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në seancën plenare se Kuvendi pret zbardhjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se kjo e fundit ka shkelur afatet e përcaktuara me ligj. Sipas tij, në Konferencën e Kryetarëve është diskutuar detyrimi i Kuvendit për të vepruar sapo vendimi të publikohet.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Balla mohoi që në mbledhje të jenë diskutuar ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa akuzoi deputetët opozitarë për deklarata të pavërteta. Ai u shpreh se është e papranueshme të bëhen akuza për çështje për të cilat, sipas tij, disa prej tyre nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje.
Sa i përket mocioneve me debat, Balla theksoi se ato janë zhvilluar, duke përmendur edhe mocionin për luftën ndaj krimit të organizuar. Ai shtoi se mazhoranca nuk ka penguar opozitën për të propozuar iniciativa ligjore, por nënvizoi se miratimi i tyre kërkon diskutim dhe bashkëpunim.
“Për të qenë të vërtetë në ato që themi dhe nuk duhet të marrim përsipër të themi gjëra pasi kemi ikur nga salla, zonja që sapo foli nuk ka qëndruar në mbledhjen e kryetarëve deri kur u ra dakord për kalendarin. Kur del në foltore thuaj të vërteta. Gjykata Kushtetuese kemi diskutuar që është në shkelje të ligjit të vet pasi deri në 25 mars duhet të kishte zbardhur vendimin, këtë kemi thënë dhe nuk kemi hyrë fare te pjesa e propozimeve të ndryshimeve të Rregullores.
Kemi rënë dakord zonja Tabaku për kalendarin dhe është e papranueshme të thuash të kundërtën, kur nuk ke qenë as në sallë.
Sa i përket mocionit me debat, jam dakord që duhej të ishte zhvilluar, por të mos harrojmë, se the këtu edhe për mocionin me debat për luftën ndaj krimit të organizuar, është mbajtur ky zonja Tabaku.
Ju thoni që mazhoranca ju ka mohuar të drejtën që të sillni iniciativa ligjore, atë të miratimit të tyre. E ndjek me kërshëri Bundestagun gjerman, nuk di që mazhoranca të miratojë atë që propozohet nga opozita. Nuk ndodh. Edhe këtu kam një propozim publik. Jemi gati t’ju miratojmë edhe ju propozime por jo me forcë e gërdufje, fillimisht na i prezantoni, t’i diskutojmë e më pas i miratojmë. Por sot, ju dashnorët më të rinj të integrimit, do ju jap faktin më domethënës, e kemi nisur legjislaturës në fund të shtatorit, prej asaj dite janë një sërë ligjesh që janë përafruar me legjislacionin e BE, 23 ligje, nuk gjendet një votë pro nga ju.
Me variantin: o pranojeni o ne… nuk ka. Nuk e bëjmë dot, me 83 mandate që na janë besuar më 11 maj, nuk i hamë presionet. Ju keni përjashtuar veten, nuk ju kemi përjashtuar ne”, tha ai.
/vizionplus.tv









