Kodi Penal do të ashpërsohet, duke parashikuar burg për personat që bëjnë shkelje administrative.
Në Komisionin e Ligjeve, disa ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamanllari, prezantoi propozimet e qeverisë, ku përfshihet në Kodin Penal dënim me burg për parkimet dyshe, zënia e hapësirave publike, si dhe ashpërsimin e dënimit për ndërtimet pa leje.
Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në “Quo Vadis” në “Vizion Plus” nën moderimin e Pranvera Borakajt, shprehu rezerva mbi ashpërsimin e masave penale. Ai theksoi se përfshirja e prokurorisë në shkelje të vogla është e tepruar dhe vetëm sa rrit ngarkesën e saj. Sipas Karanxhës, rritja e penaliteteve çon në mbipopullimin e burgjeve, ndaj kërkohet një rishikim i Kodit Penal dhe trajtim administrativ i shkeljeve të tilla.
Karanxha: Penalizimi, futja e prokurorisë në lojë më duket e tepruar. Do rrisë punën e Prokurorisë. Mund të jemi para një rasti që personi ka qenë i dënuar dhe të bëhet shkak për ta thyer personin në burg. Ne sot i kemi burgjet plot. Duhet të bëjmë një analizë pse i kemi burgjet plot. Ne duke rritur penalitetet kjo do sjellë sërish mbushjen e burgjeve. Duhet të studiohet Kodi Penal. Qëllimi është që të largosh policinë nga ruajta e rendit dhe sigurisë. Duke e ngarkuar me parkimin dysh, me tjegullat, me heqjen e çadrave në plazh…policisë i kemi dhënë një ngarkesë shumë të madhe. Kjo mund të ndiqet në mënyrë administrative. Personi që ka parkuar dysh…herën e parë mund ta gjobitësh, nëse e përsërit gabimin, herën e dytë mund të shkosh në konfiskim. Duhet të studiohet Kodi Penal.

