Kryetari i PD, Sali Berisha, shfrytëzoi mbledhjen e grupit parlamentar për të komentuar raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ndërsa vlerësoi skanimin që Brukseli i ka bërë situatës në Shqipëri gjatë një viti, Berisha kritikoi ambasadorin e BE në Shqipëri, Gonzato, dhe Komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos, e cila një ditë më parë deklaroi se progresi i Shqipërisë është i paprecedent.
“Unë u garantoj ju se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala ‘shkëlqim’, fjala ‘e jashtëzakonshme’, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Të gjitha janë shpikje pasiononte të individëve të caktuar, që kërkojnë t’u dezinformojnë ju dhe t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti. Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht. Prandaj mos dëgjoni se këto deklarata i ngjajnë deklaratave të Donald Lu, që thoshte në kulmin e kanabizimit të vendit: ‘Përgëzoj policinë për suksesin në luftën e jashtëzakonshme kundër drogës.’”
Berisha vuri në dukje se raporti i progresit reflekton të gjitha problemet që ka sot Shqipëria:
“Ndonëse KE nuk është një komision i specializuar për zgjedhjet, ai merr të mirëfilltë ato që institucionet e besimit të mirë shkruajnë dhe thotë se zgjedhjet ishin të deformuara. Thotë se korrupsioni lulëzon. Thotë se kontrolli parlamentar mbi qeverisjen ka degraduar.”
Përtej raportit të progresit, Berisha komentoi edhe hetimet e SPAK-ut ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke përsëritur se përgjegjësi kryesor për çështjen e tunelit të Llogarasë është kryeministri Edi Rama:
“Në qoftë se ne presim që prokurorët të shkojnë dhe t’i vënë hekurat Edi Ramës, ne jemi personazhe, nuk jemi njerëz realë. Është populli ai që thotë fjalën e vet. Ata folën. Tuneli i Llogarasë është vepër kriminale. Është kryer krim dhe është kryer nga Edi Rama.”
Kryetari i PD theksoi se në këtë situatë, e vetmja rrugë që ka opozita janë protestat kundër liderit të mazhorancës:
“Tani e ka radhën kreu i Meduzës! Leonidha me 300 përballoi 100 mijë. Asgjë nuk mund t’i thyejë njerëzit e guximshëm që mbrojnë një çështje të drejtë. O do u dalim ne zot tani qytetarëve, ose historia do na dënojë.”
Edhe të enjten, në Parlament pritet që beteja politike e opozitës të fokusohet tek hetimet për tunelin e Llogarasë dhe përgjegjësitë që sipas opozitës kanë kryeministri Edi Rama dhe Zëvendësja e tij, Belinda Balluku.
/vizionplus.tv

