Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha humbi gjyqin kundër qeverisë angleze dhe mbetet “non grata” në Britaninë e Madhe.

Menjëherë pas vendimit, reagoi Partia Demokratike dhe akuzoi SIAC (Komisionin e Posaçëm të Apelimit për Migracionin) se “nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës dhe vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundërshtarëve të politikë Rama, Basha, Veliaj.”

Por Lulzim Basha, përmes një reagimi në Facebook thotë se pas vendimit të Apelit për vulën e PD, u faktua se Berisha është në të njëjtin kamp me Ramën.

Basha thekson se shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi (Berishës), i cili i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.

Lulzim Basha: Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.

Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.

Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në.

Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.

Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.

Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim.

Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund.

Shqiptarët meritojnë më shumë!/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version