Një zjarr i rënë mbrëmjen e djeshme në fshatin Kryeluzaj të Kavajës ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke me pemë frutore, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit, dhe falë veprimeve të shpejta hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Bëhet fjalë për shtetasin G. B., 47 vjeç, banues në Kavajë, i cili dyshohet se gjatë djegies së mbeturinave në pronën e tij, ka humbur kontrollin mbi zjarrin, duke shkaktuar përhapjen e tij në një zonë më të gjerë me pemëtari.
Ndaj tij janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Ndërkohë, Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë qytetarët, sidomos në zonat rurale, të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave, pasi rreziku i përhapjes është i lartë gjatë sezonit të verës. Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë zonave të pyllëzuara apo me bimësi të thatë.
/vizionplus.tv